Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot u takua me ambasadoren e sapoemëruar të Japonisë në Republikën e Maqedonisë, Keiho Haneda.
Xhaferi, siç informon Seksioni për informim publik dhe marrëdhënie me publikun, në fillim të takimit, e shprehi kënaqësinë e tij dhe i dërgoi urime ambasadorit të parë rezident të Japonisë me seli në Shkup, Republika e Maqedonisë, dhe shpreson se tani do të krijohen kushte më të mira për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Ai potencoi se edhe pse largësia gjeografike e të dyja vendeve është e madhe, përsëri marrëdhëniet ndërmjet të dy popujve janë të afërta dhe miqësore dhe kështu duhet edhe të mbesin.
“Presim në periudhën që vijon t’i formojmë grupet parlamentare për bashkëpunim, në mesin e të cilave edhe me Mbretërinë e Japonisë, dhe ta intensifikojmë bashkëpunimin parlamentar, si dhe të gjitha marrëdhëniet politike dhe ekonomike ndërmjet të dyja vendeve“, theksoi Xhaferi.
Ambasadorja japoneze ia uroi Talat Xhaferit zgjedhjen Kryetar i Kuvendit dhe e shprehi kënaqësinë e saj të miqësisë që e ka vërejtur te qytetarët e Maqedonisë.
Ajo theksoi se ka shumë punë që duhet t’i bëjë gjatë kohës së mandatit të saj në vend dhe shprehi interes të madh rreth përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe e shprehi gatishmërinë e saj t’i vizitojë zonat e lira ekonomike dhe të njoftohet me mundësitë për zhvillim dhe bashkëpunim reciprok.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit e theksuan shpresën e tyre për stabilizim dhe integrim euroatlantik të Republikës së Maqedonisë.