Kuvendi është një nga institucionet kyçe për kthim të Republikës së Maqedonisë në rrjedhat demokratike dhe integrimet euroatlantike dhe për këtë arsye është e domosdoshme që të përforcohet roli i tij, për çka ka gatishmëri tej shumica e tanishme parlamentare, theksoi kryetari i dhomës ligjvënëse Talat Xhaferi në konferencën e sotme me temë “Përforcimi i rolit të Kuvendit – midis reformave dhe vullnetit politik”.
Xhaferi u zotua për përforcim të funksionit mbikëqyrës të parlamentit si pushtet ligjvënës mbi punën e pushtetit ekzekutiv gjegjësisht Qeverinë.
“Duke marrë parasysh faktin se fuqi sipas rregullës është tek pushteti ekzekutiv, demokracia bashkëkohore parlamentare e ka futur parimin e mbikëqyrjes nga ana e pushtetit ligjvënës mbi atë ekzekutiv. Përforcimi i këtij funksioni të pushtetit ligjvënës përmes mekanizmave adekuat dhe praktikave evropiane, do të kontribuojë në ngritjen e nivelit të përgjegjësisë nga ana e pushtetit ekzekutiv”, tha Xhaferi.
Theksoi se nga aspekti normativ, nuk ekzistojnë pengesa më të mëdha për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv, por, megjithatë, praktika mbet pas rregullimit normativ.
“Në atë kontekst, nevojitet vullnet politik për krijim të praktikës për kontroll të vërtetë mbi pushtetin ekzekutiv. Jam i bindur se kjo shumicë parlamentare e ka atë vullnet të nevojshëm kritik e cila do t’i lëvizte punët në një drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi.
Në konferencën e sotme marrin pjesë përfaqësues të organizatave civile dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues partiak dhe të Kuvendit të cilët debatojnë për atë se si të avancohet roli mbikëqyrës i Kuvendit, si të përmirësohet pjesëmarrja e shoqërisë civile në punën e Kuvendit dhe se si të vihet deri në debat më cilësor kuvendor.
Konferencën e organizon Instituti për demokraci “Societas Civilis” – Shkup, ku po merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi.