Policia italiane ka arrestuar një të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore pas akuzave se kishte torturuar, vrarë dhe abuzuar seksualisht me emigrantët në një kamp refugjatësh në Libi.
Detektivët e Kalabrisë morën në pyetje disa dëshmitarë që rrëfyen se nigeriani John Ogais i njohur si ‘Rambo’ vrau të paktën dy burra në një kamp në Libi, dhe kishte torturuar qindra emigrantë të tjerë.
25 vjeçari tërhoqi vëmendjen e autoriteteve pasi një prej bashkëpunëtorëve të tij u arrestua marsin e kaluar.
“Kushëriri im dhe të tjerët u përpoqën të iknin, por u kapën dhe torturuan pothuajse deri në vdekje”, tha një nga dëshmitarët.
Një tjetër dëshmitar tha se Rambo i vrau të vëllain dhe se i kishte vënë armën në kokë, që të mos tregonte asgjë.
Ogais u gjurmua dhe u arrestua në një kamp në Kalabri, në jug të Italisë, me akuza për trafikim të qenieve njerëzore, përdhunim dhe vrasje të rëndë.