Detaje të reja janë zbardhur nga zenka e frikshme në Tiranë ku një 31 vjeçar është rrahur brutalisht nga pronari i një lokali dhe kamarieri.

Mësohet se 31-vjeçari është në gjendje kome në Spitalin e Traumës dhe mjekët thonë se gjendja e tij është mjaft e rëndë e në rrezik për jetën.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së shtunës, në lokalin në pronësi të shtetasit Edjano Merkaj, 22 vjeç, që ndodhet në rrugën “Prokop Mima”, pranë “Kodrës së Diellit”, në kryeqytet, shkruan Panorama.

Policia ka arrestuar dy autorët e ngjarjes, pronarin Edjano Merkaj dhe kamerierin e lokalit, 21- vjeçarin Igli Përtafi.

I plagosuri, Elvis Meta, 31 vjeç, është gjetur pa ndjenja dhe me shenja të dukshme dhune nga Policia, që e ka transportuar më pas në spital. Ndërsa mësohet se gjithçka ka ndodhur për një celular të vjedhur aty, një ditë para ngjarjes.

Duke dyshuar se Elvis Meta ishte hajduti i celularit, ata e kanë rrahur për disa minuta me grushte e shkelma, duke i shkaktuar gjendje kome. Sipas mjekëve, ai ka humbur ndjenja nga një goditje në pjesën e fytit dhe të kokës, që i ka shkaktuar komën.