Deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend kanë dorëzuar iniciativë për rritjen e rrogave të mjekëve të përgjithshëm dhe mjekëve specialist të shëndetësisë primare, sekondare dhe terciare. Nga VMRO kanë thënë se përmes këtij ligji do të përmirësohet statusi i mjekëve.
Me këtë ligj parashihet rroga e mjekëve specialist të jetë 100.000 denar neto, derisa mjekët e përgjithshëm të kenë 56.000 denarë neto rrogë. Përveç ngritjes së rrogave të specializantëve dhe mjekëve të përgjithshëm, me këtë Ligj ofrojmë zgjidhje sistematike me të cilën do të përmirësohet kualiteti I kuadrit shëndetësor, kualiteti I shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe do të pengohet ikja e krerëve të shëndetësisë jashtë vendit – deklaroi Zoran Gjorgjievski, VMRO DPMNE.
Kjo nismë ka nxitur përplasje mes pozitës dhe opozitës. Përmes një komunikate me shkrim nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE nuk ka të drejtë të flas mbi të drejtat e mjekëve sepse kjo parti sipas tyre, për 11 vjet qeverisje ka kryer eksod ndaj sistemit Shëndetësor duke detyruar një numër të madh të mjekëve, ta lëshojnë vendin.
Nëse me të vërtetë do të brengosej për sistemin shëndetësor, VMRO-DPMNE do të punonte për përmirësimin e statusit të mjekëve dhe do t’i mbronte të drejtat e pacientëve. Por në vend të kësaj, kanë mbizotëruar interesat e biznesit të korruptuar. VMRO DPMNE ka kryer eksod në sistemin shëndetësor. VMRO 11 vite shkeli të drejtat e mjekëve dhe personelit shëndetësor. Si pasojë, rreth 200 mjekë e lëshuan Shëndetësinë Publike dhe ikën jashtë vendit ose në sektorin privat. Prandaj sot si opozitë, VMRO nuk ka të drejtë të provokojë me propozime që janë pjesë e programit të Qeverisë së re – thanë nga LSDM.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari duke ironizuar me iniciativën, premtoi se e ajo do të shqyrtohet.
11 vite ishin në Qeveri, tani iu kujtua të kërkojnë….? Sido që të jetë do ta rishikojmë iniciativën edhe me VMRO edhe me partitë tjera do gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme – u shpreh Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Nga VMRO DPMNE thanë se kjo iniciativë për sjelljen e këtij ligji është paraparë që të dorëzohet në Kuvend që në periudhën e kaluar kur VMRO ishte në pushtet, por për shkak të krizës politike, nuk ka arritur të realizohet.