Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama nuk e përjashton një koalicion të mundshëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, dy forcave politike të konsideruara historikisht kundërshtare.

I ftuar në “Opinion”, kryeministri u pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gazetari Blendi Fevziu, nëse PS-ja do të bënte koalicion me LSI-në. Por ndërsa përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë për të thënë JO, ajo nuk ishte aspak e tillë kur u pyet për një koalicion të mundshëm me PD-në, e drejtuar nga Lulzim Bashën.

Rama: Me LSI-në unë e përjashtoj.

Fevziu: Po me Bashën a do të bënit koalicion zoti Rama?

Rama: Çdo skenar për mua është i hapur në varësi të vendimmarrjes së popullit.

Kujtojmë se kryeministri dhe lideri demokrat arritën marrëveshje politike mes njëri-tjetrit, pakt i konsideruar jo transparent për shumicën e forcave politike. Marrëveshja jo publike është konsideruar edhe nga LSI si një ‘shtrëngim duarsh’ që cënon zgjedhjet e lira.

Gjatë fushatës elektorale, Rama dhe Basha kanë lëshuar akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit, por kanë bërë mjaft përshtypje edhe batutat që kanë lëshuar në distancë me njëri-tjetrin, duke përfunduar deri ato të tipit “cuni mirë, çun i keq, Romeo e Zhuljeta, etj”…

Se sa do të mund të realizohej ky koalicion, dhe sa i natyrshëm do të ishte ai…kjo mbetet t’i lihet “post 25 qershorit”.