Nga janari i 2018’ës, ndalohet importi i automjeteve me vjetërsi të pakufishme.
Ligji i ri i nënshkruar tashmë nga presidenti ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Me këtë ligj, nuk ka asnjë specifikim tjetër sa i përket kostos së zhdoganimit të tyre, raporton KTV.
Megjithatë, në këtë ligj janë parashikuar një varg dënimesh në rast shkeljesh si nga personat juridikë ashtu edhe kompani të autorizuara, vlera e të cilave sillet nga 100 deri në 10 mijë euro.
Pos ndalimit të importimit të automjeteve mbi 10 vjet të vjetra, ato duhet të plotësojnë kushtet e përdorimit të tyre, sipas standardeve evropiane të ndotjes së ambientit Euro 4, që është edhe niveli i fundit i lejuar në BE.
Sa i përket automjeteve të importuara dhe që nuk janë të prodhuara në zonën e BE-së, ligji ka paraparë standardet nacionale për aplikim ndaj tyre, pasi të njëjtat marrin dritën e gjelbër nga komisioni teknik i ekspertëve.
Shoqëria civile vazhdon të jetë skeptike sa i përket heqjes së automjeteve të vjetra nga rrugët.
Jeton Mehmeti nga Instituti GAP nuk po sheh ndonjë lëvizje drejt lehtësimit të kushteve për importim më të madh të automjeteve të reja.
Ndërsa të dhënat e doganës flasin për vazhdim të trendit të importit të automjeteve të vjetra.
Vitin e kaluar, janë importuar 2.263 vetura të reja në vlerë prej 6.8 milionë euro, ndërsa këtë vit deri në muajin qershor janë importuar 1.214 vetura në vlerë prej 3.7 milionë euro.
Ndërsa, sa i përket importit të veturave të përdorura, vlera e tyre është shumëfish më e lartë që ka fituar buxheti.