Verratti është lojtari i duhur për Barcelonën, thotë Garcia.
Ish mesfushori sulmues i Liverpoolit dhe Barcelonës, Luis Garcia, insiston se ylli i Paris Saint-Germain, Marco Verratti, do të ishte i përkryer për Barcelonën.
Verratti, i cili ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2021, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, që kërkohet me ngulm nga Barcelona.
“Ai është shumë i mirë teknikisht. E di si të lëviz. Ai mund të luajë në disa role. Ndihet mirë aty ku luan Andres Iniesta ose Ivan Rakitic, por mund të luajë edhe më i tërhequr, në krah me Sergio Busquets”, tha Garcia.
“Është diçka që Barcelona ka kohë që po kërkon. Pra lojtar që mund të luajë në role të ndryshme e skema të ndryshme, Verratti është ideali për këtë”, shtoi Garcia.
100 milionë euro besohet të jetë çmimi për ish mesfushorin e Pescaras, nëse Barcelona e do në “Camp Nou” sezonin e ardhshëm.
Sezonin e kaluar, Verratti bëri 43 paraqitje për klubin francez në gjitha garat, që u mundën në Ligë nga Monaco teksa në Ligën e Kampionëve pësuan eliminim drastik nga Barcelona.