Nënat që ushqejnë foshnjat e tyre me gji mund të ulin rrezikun e atakut në zemër ose goditjes në tru me kalimin e viteve, ka zbuluar një studim i ri.

Studime të mëparshme kanë treguar se ushqyerja me gji mund të ulë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit dhe vezores, osteoporozës dhe obezitetin dhe tani shkencëtarët shpresojnë që ky zbulim i ri të inkurajojë më shumë gra që të ushqejnë foshnjat e tyre me gji.

Hulumtuesit shkencorë nga Britania dhe Kina analizuan të dhënat e më shumë se 280 mijë nënave nga Kina.

Pasi përjashtuan faktorët e tjerë të rrezikut, si duhanpirja, tensionin e lartë të gjakut dhe aktivitetin fizik, ata zbuluan se nënat që ushqejnë foshnjat e tyre me gji janë 9% më pak të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës dhe 8 % nga goditjet në tru, krahasuar me ato që nuk i ushqejnë asnjëherë fëmijët me gji.

Sa më gjatë t’i ushqejnë fëmijët, aq më shumë ulet rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare tek femrat. Për çdo 6 muaj që nënat ushqejnë fëmijët me gji, ulet rreziku me 4% për sëmundjet e zemrës dhe 3% për goditjen në tru, shkruan gazeta “shëndeti”.

Tek nënat që i ushqejnë foshnjat e tyre për gati 2 vjet, rreziku i sëmundjeve të zemrës është 18% më i vogël dhe i goditjes në tru është 17%, krahasuar me ato që nuk i ushqejnë fare.

Hulumtuesja shkencore Sanne Peters, nga Universiteti i Oksfordit, thotë se përfitimet e ushqyerjes me gji mund të shpengohen me ndryshimet e metabolizmit pas lindjes së bebes. “Përfitimet shëndetësore nga ushqyerja me gji tek nëna mund të shpjegohen me “rivendosjen” e shpejtë të metabolizmit tek nëna pas shtatzënisë”, tha ajo.