Turqia nuk e ka ndërmend të mbyllë bazën e saj ushtarake në Katar. Ankaraja zyrtare thotë se nga baza përfitojnë të gjitha vendet e rajonit të Gjirit.
Mbyllja e bazës turke duhej të ishte një nga 13 lëvizjet e pritshme nga Katari për të zgjidhur krizën diplomatike me Arabinë Saudite dhe fqinjët e tjerë, më e rënda në 30 vitet e fundit.
Riadi dhe 5 vende të tjera të Gjirit ndërprenë lidhjet diplomatike dhe shkëmbimet tregtare me Katarin, duke e izoluar plotësisht vendin e vogël dhe të pasur me gaz natyror.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Turqisë dhe Katarit në 2014, në bazë gjenden aktualisht 88 ushtarë turq dhe ky numër pritet të arrijë në 1,000. Sipas Ankarasë, vendet arabe që kundërshtojnë Katarin nuk dërguan një kërkesë të drejtpërdrejtë për të mbyllur bazën turke.
Përçarjet midis vendeve arabe dhe Katarit erdhën për shkak të mbështetjes së Vëllazërisë Myslimane nga Doha, si dhe lidhjet ekonomike me Iranin dhe politikat e televizionit Al Jazeera.