Presidenti Donald Trump thotë se ai dhe kolegët e tij republikanë në Senat kanë përpara “një rrugë të ngushtë” në përpjekjet shtatë vjeçare për të shfuqizuar ligjin e presidentit Obama për kujdes shëndetësor universal.

Në një intervistë me rrjetin Fox News, të transmetuar të dielën, presidenti thotë “Mendoj se do ta arrijmë,” por pranon se do të jetë një përpjekje e ndërlikuar në ditët në vazhdim “për të zgjedhur një plan që do të pëlqehet nga të gjithë”.

Por presidenti shtoi se nëse nuk ndryshohet plani i presidentit Obama, i njohur si Obamacare, alternativa do të jetë kolapsi i sistemit shëndetësor.

Senati ka në plan të votojë të enjten mbi një propozim për të hequr kushtin e vendosur gjatë administratës Obama për t’i detyruar amerikanët të blejnë sigurime shëndetësore, ose përndryshe të ballafaqohen me gjobë. Propozimi gjithashtu parashikon eliminimin gradual të subvencioneve qeveritare për amerikanët me të ardhura të ulëta që ofrohen për t’i ndihmuar të blejnë sigurime shëndetësore, ulje taksash për të pasurit dhe shkurtime të fondeve federale që mbështesin programet qeveritare në ndihmë të të varfërve dhe handikapadëve.

Por republikanët kanë një epërsi të ngushtë në Senat, vetëm 52-48. Të gjithë demokratët pritet të votojnë kundër propozimit. Duhet që të paktën 50 republikanë në Senat ta mbështesin propozimin, në atë mënyrë vota e senatorëve do të jetë e ndarë 50 pro dhe 50 kundër, dhe propozimi mund të miratohet me ndihmën e votës së nënpresidentit Mike Pence, i cili voton kur rezultati në Senat del barazim. /VoA

T mobile In article [4] Laor