Presidenti Donald Trump u dha nota personale sulmeve të tij ndaj medias të enjten, duke vënë në lojë një komentator të njohur televiziv.

Ai ka kohë që i cilëson organizatat më të mëdha të lajmeve si “lajme të rreme”, për njoftimet të cilat nuk i pëlqejnë gjatë këtyre pesë muajve të tij në Shtëpinë e Bardhë. Në një postim të ri në Twitter, ai e kritikoi ashpër Mika Brzezinskin, e cila drejton emisioni e mëngjesit, “Morning Joe”, bashkë me të fejuarin e saj, Joe Scarborough.

“Mora vesh se emisioni që nuk shihet @Morning_Joe, flet keq për mua (nuk e shikoj më)”, shkruajti Presidenti Trump në një mesazh me dy pjesë. “Atëherë, si shpjegohet që “Mika e Çmendur” me koefiçent inteligjence të ulët, bashkë me “Psikopatin Joe”, erdhën në vilën time në Mar-a-Lago tre netë rresht në Vit të Ri dhe këmbëngulnin të më takonin? Asaj i ishte përgjakur fytyra anga një operacion plastik, por unë thashë jo!”

Çifti ka thënë asokohe se shkuan në vilën e Mar-a-Lagos të presidentit të ardhshëm, në Florida, për të caktuar një intervistë me të vetëm një muaj përpara Inaugurimit.

Në momentin e parë, nuk u kuptua se çfarë e kishte shkaktuar këtë zemërim të Presidentit Trump për Brzezinskin dhe Scarboroughn. Ai shkonte në programin e tyre përpara se të merrte detyrën si president, por kur drejtuesit e emisionit filluan të kritikonin punën e tij, presidenti Trump filloi t’i sulmonte.

Drejtori i rrjeteve sociale të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, Jr., i sulmoi gjithashtu gazetarët të enjten, duke postuar në llogarinë e tij personale në Twitter, “#MikaETrashëSiNjëDru dhe i dashuri #JoeXhelozi janë të përhumbur, të hutuar dhe të trishtuar qëkurse @POTUS @realDonaldTrump filloi të mos u përgjigjet telefonatave të tyre! Të çoroditur.”

Brzezinski u përgjigj përmes një postimi në Twitter të fotos së një fëmije me një kuti drithërash Cheerios, me sloganin, “Bërë Për Duar Të Vogla” – mesa duket, duke iu referuar fushatës së vitit të kaluar, kur madhësia e duarëve të zotit Trump u bë shënjestër shakash politike.

Ndihmësit e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe Zonja e Parë, Melania Trump, janë përpjekur shpesh, pa sukses, t’u vënë fre postimeve kaq të drejtpërdrejta të Trampit në Twitter. Presidenti thotë se kjo është mënyra se si ai u jep mundësi miliona njerëzve të shprehen troç, pa kaluar në flitrat e mediave kombëtare, të cilat ai i përçmon.

Gjatë fushatës presidenciale, Melania Trump bëri thirrje për një Amerikë më të sjellshme dhe të butë, duke thënë se, si Zonjë e Parë e vendit, ajo ishte kundër bullizmit në internet.

“Kultura jonë është bërë shumë e ulët dhe e egër, sidomos te fëmijët dhe adoleshentët”, është shprehur ajo.

Por ajo i doli në krahë të shoqit pas postimit në Twitter ditën e enjte. Zëdhënësi i saj tha, “Ashtu siç edhe është shprehur publikisht në të kaluarën, Zonja e Parë tha se kur bashkëshortin e saj e sulmojnë, ai do të godasë dhjetë herë më fort”.

NBC-ja, rrjeti televiziv që transmeton programin Morning Joe, lëshoi një deklaratë, ku thuhej, “Është një dite e trishtë për Amerikën kur presidenti harxhon kohë duke ngacmuar, gënjyer dhe vjellë vrerë në ca sulme të ulëta personale, në vend që të bëjë punën e tij”.

Të paktën katër ligjvënës republikanë dhe të tjerë, dolën menjëherë kundër postimit të fundit në Twitter të kolegut të tyre republikan.

Senatori i Nebraskës, Ben Sasse, u shpreh: “Të lutem, mjaft me kaq. Kjo nuk është normale dhe i kalon kufijtë e dinjitetit të zyrës tuaj”.

Po ashtu, senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, tha: “Zoti President, postimi juaj në Twitter i kalonte kufijtë e lejuar nga zyra dhe ishte pikërisht shembulli i asaj që nuk shkon sot me politikën amerikane, jo me madhështinë e Amerikës.”

Senatorja e Meinit, Susan Collins, postoi në Twitter këtë deklaratë: “Kjo duhet të marrë fund. Ne të gjithë kemi të njëjtën punë – tre degë të qeverisjes dhe median. Nuk është e thënë që të merremi vesh, por të sillemi të paktën me dinjitet dhe qytetari”.

Drejtuesi i shumicës republikane në Kongres, Paul Ryan, tha: “Pa dyshim që nuk më duket një postim me vend. Ne po përpiqemi që të përmirësojmë mënyrën se si i drejtohemi njëri-tjetrit në politikë dhe të fusim frymën e qytetarisë në debat, por kjo nuk arrihet me postime në Twitter si ky”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se “Presidenti nuk do pranojë t’i bien sërish në qafë”. /VoA

Global