Pas formimit të Qeverisë së re, ka ardhur koha që Maqedonia të kthehet në rrugën e integrimeve, thekson ambasadori francez, Kristian Timonie, në një intervistë për MIA-n. Ai është i vetëdijshëm se do të nevojitet kohë, optimizëm dhe durim të mbërrihet deri në fund të kësaj rruge.
“Formimin e Qeverisë së re të gjithë e konsiderojnë për ndërprerje të një periudhe të krizës. Është normale që kjo risi të shpërndahet nga të gjithë ne evropianët, si lajm i mirë. Në vend u rikthye optimizmi dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sepse punët e mëdha nuk mund të bëhen pa pasion dhe asnjë reformë nuk mund të bëhet pa optimizëm. Por, tani vjen momenti i konkretizimit të gjërave. Ky është kthim i sërishëm në rrugë, por nevojitet kohë që të arrihet deri në fund të saj”,- thotë Timonie.
Ambasadori francez përshëndet gatishmërinë e ekzekutivit për një plan të ri aksionar për zbatim të prioriteteve urgjente reformuese, por konsideron se për të bindur Brukselin për përkushtimin ndaj reformave, Kuvendi duhet të miratojë një deklaratë me mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë, rreth përcaktimit për anëtarësim në BE dhe NATO, si prioritete strategjike të shtetit. Ai përshëndet klimën e re në relacionin Shkup-Athinë dhe dëshirën për dialog nga të dyja anët, që është një hap për fillimin e zgjidhjes së kontestit.
“Propozimet e caktuara nga ana e Shkupit do të ndiqen me interes të madh nga të gjithë dhe do të tregojnë se ekziston dëshirë për dialog në plan afatgjatë. Është në interes edhe të Shkupit të insistojë në përmirësimin e dialogut. Mendoj se nga pala greke po ashtu ekziston dëshirë të shkohet më tutje në atë plan dhe se të dyja palët duhet në mënyrë të ndërsjellë ta mbajnë fjalën. Me atë do të lehtësohet shumë vazhdimi i dialogut lidhur me çështjen për emrin”,- thotë Timonie, duke përkujtuar qeverinë se emri nuk është pengesa e vetme në rrugën eurointegruese , por ekzistojnë një sërë pengesash dhe një sërë reformash, përmbushja e të cilave do të mbikëqyret nga afër. Posaçërisht do të duhet që zgjedhjet lokale, të parapara për më 15 tetor, të zbatohen në kushte në të cilat nuk do të ketë tensione, tha ambasadori francez, Timonie.