Vjen urimi i parë nga Partia Demokratike për fitoren e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Kanë mbetur edhe pak kuti për të përmbyllur procesin e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ku deri më tani Partia Socialiste ka garantuar një fitore të thellë, përballë dy kundërshtarëve të aj politikë. Partia Demokratike është forcë e dytë, e megjithatë me një rënie të thellë krahasuar me rezultatin e vitit 2013.

LSI forcë e tretë, por me një ngritje nga 2013-a. palët kanë pranuar rezultatin, ku kryetari i LSI-së Petrit Vasili doli në një konferencë për mediat duke thënë se kjo forcë politike tashmë është një opozitë e fortë që i duhet vendit. Por nga PD-ja ka pllakosur heshtja. Kreu demokrat Lulzim Basha i cili është shigjetuar edhe nga demokratët si personi që solli këtë rezultuar të dobët për partinë, ka paralajmëruar se do të dalë në deklaratë për mediat kur të mbarojë së numëruari edhe kutia e fundit.

Nuk dihet nëse ai do të japë dorëheqjen siç kanë kërkuar disa nga politikanët demokratë me histori në PD, apo nëse Basha do të ringrejë partinë me një strategji të re. E megjithatë këtë heshtje e ka thyer Julian Deda. Jo vetëm një aktor i njohur, por edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai ka uruar Partinë Socialiste për fitoren e arritur. Një mesazh i shkruar prej tij në rrjetin social Facebook.

“Si fillim kundërshtari urohet, si shenje civilizimi pas një gare. Shqiptaret menduan se shoferi më i përshtatshëm për ti dhënë timonin e kësaj makine me emrin Shqipëri, është Edi Rama, këtë e treguan me votë. Demokracia ka rregulla, shumica fiton. Urime Partisë Socialiste për fitoren. Punë të mbarë!”, shkruan Deda.