Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes profilit të tij në Facebook, ka treguar se në Dubrovnik, ka takuar përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga Mogherrini ka kërkuar një prezencë më të madhe të BE-së në rajon, një qartësi dhe një perspektivë më të sigurt për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kërkova një prezencë më të madhe të BE-së në rajon, një qartësi dhe një perspektivë më të sigurt për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë Thaçi.

“BE-ja është korniza e vetme për modernizmin e shoqërive tona, për demokratizimin e shteteve dhe për garantimin e zhvillimit ekonomik”, ka shtuar më tej ai.

Thaçi në Dubrovnik po merr pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.