Një seri incidentesh të këtij muaji mbi Detin Baltik, ku avionë rusë dhe amerikanë i janë afruar shumë njëri tjetrit, kanë shkaktuar shqetësime mes analistëve të mbrojtjes se çdo përplasje e drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pse aksidentale, mund të dalë jashtë kontrollit.

Sipas njoftimeve, një avion luftarak rus dhe një aeroplan amerikan zbulimi u afruan deri në dy metra nga njëri-tjetri gjatë fluturimit mbi Baltik, diçka që zyrtarët ushtarakë amerikanë e quajtën të rrezikshme.

Një zëdhënëse e Pentagonit tha se avioni rus SU-27 fluturoi me shpejtësi të madhe dhe kontrolli nga ana e pilotit ishte i pamjaftueshëm.

Rreziku i aksidenteve

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se aeroplani amerikan i zbulimit RC-135 bëri një lëvizje provokuese drejt atij rus.

T mobile In article [4]

Një tjetër incident ndodhi të mërkurën. Moska tha se një avion luftarak i NATO-s iu afrua avionit të ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu i cili po drejtohej për në enklavën ushtarake ruse të Kaliningradit, që ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë, dy vende anëtare të NATO-s. Mediat shtetërore ruse njoftuan se një avion luftarak SU-27 rus arriti ta largojë avionin polak F-16 dhe publikuan videon e incidentit.

Ekziston një rrezik i madh kur një avion fluturon në distancën një metër nga një tjetri, thotë analisti i mbrojtjes Pavel Felgenhauer. “Por në Baltik, fjala është për një rast të pastër të krijimit të tensioneve nga asgjëja”, tha ai. “Pra, është një lojë e rrezikshme. Por në realitet, askush nuk dëshiron të luftojë kundër askujt.”

Lufta e re e Ftohtë

Provokimet ruse ndaj avionëve të NATO-s janë shtuar së tepërmi që nga aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014, si dhe pas mbështetjes ushtarake ruse për separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

“Nuk ka dyshim, të paktën për mua, se Rusia dhe Perëndimi janë në situatën e një lufte të re të ftohtë”, thotë analisti i mbrojtjes dhe zëvendësdrejtor i “Yezhenedelny Zhurnal”, Alexander Golts: “Lufta e Ftohtë është një situatë kur ka një problem që nuk mund të zgjidhet, pra jo me mjete diplomatike dhe as ushtarake. Ky problem është Ukraina”, thotë Golts.

Çështja është, – thotë ai, – se Rusia, nga këndvështrimi i saj, nuk mund të tërhiqet nga “lufta e fshehtë” e saj në Ukrainë, por përsa kohë që ajo vazhdon kështu, NATO-ja nuk mund të rivendosë bashkëpunimin. Ndërkohë, vringëllimi i armëve në të dyja anët rrezikon të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.

Shtetet e Bashkuara këtë javë shpallën sanksione të reja kundër entiteteve ruse për përfshirjen e tyre në Ukrainë, ndërsa BE-ja ra dakord të rinovojë sanksionet e saj kundër Moskës.

Sanksionet shtesë erdhën pasi Presidenti ukrainas Petro Poroshenko vizitoi Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Poroshenko tha më vonë se SHBA së shpejti do të nënshkruante disa marrëveshje të mbrojtjes me Kievin, por nuk dha hollësi. Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë ofruar vetëm trajnime dhe pajisje ushtarake jo-vdekjeprurëse në Kiev, në një përpjekje për të qëndruar jashtë çdo konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.

Përforcime ushtarake?

Ministri Shoigu tha se Rusia do të bëjë përforcime ushtarake në kufijtë e saj perëndimorë, duke përmendur si arsye keqësimin e gjendjes së sigurisë për shkak të asaj që ai e quajti “kurs antirus” të NATO-s. Shefi i mbrojtjes ruse tha se ushtria e Rusisë do të dislokojë këtë vit 20 njësi të reja në frontin e saj perëndimor, si kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të NATO-s në shtetet baltike dhe në Poloni.

Shtetet dikur të pushtuara dhe ato ish-sovjetike ngritën shqetësime rreth një agresioni të mundshëm rus pas veprimeve të Moskës në Ukrainë. NATO-ja u përgjigj me rritjen e vendosjes së forcave mbrojtëse. Ndërkohë, në shtator, Rusia dhe Bjellorusia do të zhvillojnë stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë që simulojnë një pushtim të NATO-s.

Dislokimi ushtarak i NATO-s është modest në krahasim me përgjigjen e Rusisë, tha Golts. “Dhe, ajo që është diçka reale tani është se mes këtyre forcave nuk ka ndonjë hapësirë gri. Ato janë përballë njëra-tjetrës. Dhe përsëri kjo do të thotë se çdo aksident mund të pasohet nga një luftë e madhe”./voa

Global