Nga Telekomi i Maqedonisë thonë se nuk ka më opstrukcione në bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale. Problemet mes Telekomit dhe Speciales filluan vitin e kaluar kur prokuroria e Katica Janevës kërkoi në këtë operatorë të shohin se cilat numra i ka përgjuar DSK-ja në mënyrë joligjore, për çka është hapur rasti “Target”.

Të jeni të sigurt se si Dojçe telekom në pronësi të Dojçe Telekom, Maxhar Telekom dhe të shtetit këtu, bëjmë çmos që të bashkëpunojmë me autoritetet kompetente. Personalisht kisha takime të ndara, e hapëm bazën e të dhënave që është këtu. Nuk kishte vërejtje as nga prokurori publik. Bëjmë çmos, çdo gjë që është e mundshme për të bashkëpunuar pasi është në interesin tonë të kemi biznes të pastër. E filluam këtë vit dhe do të vazhdojmë – deklaroi Andreas Eltner, drejtor ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë.

Hetimi për rastin “Target” filloi vitin e kaluar, por vetëm njëri nga operatorët celularë ONE-VIP i lejoi qasje Speciales të konfirmojë cilat numra janë përgjuar në mënyrë të paligjshme. Edhe pse nga Telekomi thonë se tani bashkëpunojnë, nga Specialja ende nuk e kanë mbyllur hetimin.

Kjo lëndë ende është në procedurë parahetimore dhe ende nuk është mbyllur, edhe më tej do të kërkojmë nga Këshilli i prokurorëve, nga Prokuroria publike që të na e dorëzojnë lëndën. Kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme – u shpreh Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Gjithashtu numri një i Telekomit të Maqedonisë nuk u përgjigj nëse ka përfunduar hetimi i brendshëm për atë nëse janë të sakta informatat nga bombat e opozitës ku u dëgjua se nga punonjës në Telekom kërkohet shkyçja e numrave të telefonit për disa anëtarë të LSDM-së. Nga kjo kompani deri në përmbylljen e këtij edicioni, nuk u përgjigjën në këtë pyetje.