Xhelal Sfeçla nuk do të mund të bëhej deputet për mungesë të vetëm një vote.

Ai ka marrë fiks 6747 vota, vetëm një më pak se sa Arbër Rexhaj (6748) që është kandidati mashkull që mbyll listën e atyre që fituan mandat nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Koha.net.

Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, Sfeçla do t’i bashkohet Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, pasi që Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës ka konfirmuar se do të lë mandatin e deputetit për të vazhduar punën në krye të Komunës.

Edhe në listën e LAA-së ka qenë garë e ngushtë. Naser Osmani ka vetëm 10 vota më pak se Imet Rrahmani. I pari, ish-deputet, ka gjithsej 7265 vota, ndërsa ky i fundit, që ishte edhe ministër i Shëndetësisë në mandatin e kaluar ka mbledhur 7275 vota.

Në PAN gara është më e qartë. Mashkulli që ka mbyllur listën e deputetëve aty është Rasim Selmanaj i cili ka marrë 9837 vota. Nait Hasani, ish-deputet ka mbetur jashtë me 249 vota më pak, ose 9588 vota. Selmanaj, që vjen nga AAK-ja nuk ka treguar qartë nëse do të mbajë pozitën e kryetarit të Komunës së Deçanit apo atë të deputetit, e që do t’ia lironte vendin Hasanit.