Seanca publike e gjykatës supreme në të cilën duhet të shqyrtoheshin ankesat e gjashtë të dënuarve me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, gjegjësisht për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës sërish u anulua, pasi njëri prej avokatëve mbrojtës të të dënuarve ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë Maqedonisë, raporton Shenja.

Gjykata në seancën e kaluar  kërkoi që t’i marrë parasysh dëshmitë e prokurorëve të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), të cilët në konferencë për shtyp treguan se po kryejnë procedurë parahetimore për rastin “Monstra”.

Për masakrën tek Liqeni i Smillkovës para pesë viteve, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se opinioni përmes “bombave” do ta mësojë të vërtetën për këtë rast, por megjithatë ai nuk publikoi biseda të përgjuara për vrasjen makabre të katër djelmoshave nga Radishani dhe peshkatarit nga Cresheva, si dhe për dënimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve.