NATO është në Kosovë për të ndihmuar stabilitetin dhe për t’iu shmangur dhunës, ka thënë shefi i Aleancës Veri-atlantike Jens Stoltenberg.

“Kjo në të ardhmen duhet të parandalohet, prandaj përshëndesim partneritetin me vendin tuaj dhe është e rëndësishme për ne anëtarësimi i disa vendeve përreth, në mënyrë që t’i shmangemi situatave të pakëndshme nga e kaluara”, ka thënë Stoltenberg, transmeton KosovaPress.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se stërvitjet ushtarake me Rusinë dhe statusi i qendrës humanitare në Nish janë çështje e Serbisë.

“Është e rëndësishme që secili shtet të zgjedhë rrugën e vet, respektojmë kur shtete dëshirojnë të bëhen anëtare, por edhe vendimin tuaj që të mos jeni pjesë e Aleancës, pasi që jeni shtet sovran”, ka thënë Stoltenberg.

Duke folur për vendimin e Serbisë për të kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, shefi i NATO-s tha se Aleanca respekton vendimet, të cilat i merr Serbia.