Formimi i mekanizmit të jashtëm për kontroll të policisë dhe kthimin e besimit tek qytetarët, është një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ky është konkluzioni nga takimi i sotëm i punës i ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe delegacionit të Këshillit të Evropës (KE), i kryesuar nga Tanja Rakushiq-Haxhiq, udhëheqëse e Sektorit për bashkëpunim penal-juridik në Drejtorinë e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe qeverisje të së drejtës pranë KE-së.

Spasovski, siç kumton MPB-ja, e potencoi gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim që të realizohen reformat e nevojshme. Sipas tij, projekti “Përforcim i respektimit të së drejtave të njeriut gjatë veprimit policor” që realizohet në bashkëpunim me KE-në është shumë i rëndësishëm, posaçërisht sepse në periudhën e kaluar, Sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale nuk e realizoi funksionin e tij, para së gjithash për shkaqe subjektive gjegjësisht partizimit dhe me këtë kontribuoi për humbje të besimit tek policia.

Ministri potencoi se formimi i mekanizmit të jashtëm për kontroll si pjesë e projektit është zgjidhje e shkëlqyeshme, posaçërisht në drejtim të formimit të sektorit të posaçëm në Prokurorinë Publike dhe repart pranë Avokatit të Popullit për inkuadrimin e organizatave joqeveritare.

Korniza juridike për këto zgjidhje duhet të definohet nga mesi i korrikut, ndërsa deri në shtator duhet të dorëzohen deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, me inkuadrimin e plotë të opinionit profesional, informon MPB.

Rakushiq-Haxhiq ia uroi zgjedhjen e ministrit Spasovski dhe i dëshiroi sukses në ballafaqimin me sfidat. Njëherit shprehu shpresë se përmes projektit vijues të KE-së do të ndihmohet në kthimin e besimit të qytetarëve tek policia.