Me rastin e rotacionit të tetë të policëve sllovak të cilët bashkë me pjesëtarët e policisë së Maqedonisë patrullojnë në kufirin jugor me Greqinë, ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe ambasadori i Sllovakisë në Shkup, Martin Bezak vizituan qendrën e pranimit “Vinojug” në Gjevgjeli, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Spasovski dhe ambasadori Bezak gjatë qëndrimit të tyre në Gjevgjeli u njoftuan me punët e përditshme që bëhen në qendrën e pranimit Vinojug, ndërkohë që vizita u shfrytëzua që zyrtarët nga afër të shohin hapësirat në të cilat punojnë policët dhe personat e tjerë të angazhuar.
Siç theksoi Spasovski, qëllimi i vizitës është të takohen policët sllovakë që janë pjesë e kontingjentit që së bashku me oficerët nga Maqedonia mbrojnë kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë.
“Është e jashtëzakonshme mirënjohja e Republikës së Maqedonisë për Republikën e Sllovakisë, sepse ndihma erdhi kur ne ishim në vështirësi, jo vetëm me dërgimin e trupave policore, por edhe të asistencës teknike që ishte e nevojshme për ministrinë. Kemi konstatuar se një krizë e tillë mund të zgjidhet vetëm falë bashkëpunimit”, tha Spasovski sipas të cilit situata e tanishme është e qetë dhe stabile.
Ambasadori Bezak nga ana e tij, tha se migracioni nuk është një problem vetëm nacional, rajonal, apo kontinental, por se është një problem i përmasave globale, dhe si i tillë kërkon sinergji dhe bashkëpunim.
“Interesi jetik i Republikës së Sllovakisë është që të mbetet e mbyllur e ashtuquajtura rruga e migrimit Ballkanik, ndërsa kontrabanda të parandalohet sa më shumë që të jetë e mundur. Parimi ynë udhëheqës në menaxhimin e krizës është solidariteti efektiv. Me fjalë të tjera, çdo anëtar i Bashkimit Evropian të kontribuoj në mënyrën e vet për tejkalimin e problemit. Deri më tani, në këto tetë rotacione kemi dërguar 190 policë dhe deri në fund të vitit edhe dhjetë të tjerë”, tha ambasadori Bezak.
Ai rikujtoi se në verën e vitit 2015 Sllovakia i huazoi Hekurudhave të Maqedonisë tetë vagonë në mënyrë që emigrantët të transportohen në Tabanoc.
Aktualisht, qendra pritëse për refugjatët “Vinojug” në Gjevgjeli ka 13 refugjatë, nga të cilët 7 fëmijë dhe 6 të rritur.