Paga mesatare bruto në Maqedoni është  22 672 denarë, që është për 1,4% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këtë gjë e tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, për periudhën prill 2016 – prill 2017. Statisticienët kanë llogaritur se rritje më të madhe të të ardhurave mujore personale ka në sferën e informatikës dhe komunikimit në të cilat pagat janë rritur për 22%, në sektorin e xehetarisë për 15%, ndërsa në tregtinë me shumicë dhe pakicë pagat janë rritur për 6%. Por qytetarët e Maqedonisë dyshojnë se ky trend në rritje ndjehet edhe në buxhetin shtëpiak. Ata vlerësojnë se çdo muaj u mungojnë së paku 10 mijë denarë për të mbuluar të gjitha nevojat elementare.

“Mendoj se paga prej 25 deri 30 mijë denarë do të ishte e mjaftueshme”

“Për një familje katër anëtarëshe për një muaj nevojiten 1500 euro për shkak se vetëm faturat janë 10 mijë denarë, kështu që këto paga nuk mjaftojnë”.

“Mendoj se 40 mijë denarë pagë do të ishte e mjaftueshme”.

“Më së paku, nevojiten 30 mijë denarë që në mënyrë të modeste të kaloj muaji”.

Lartësinë e pagave e cakton komisioni social – ekonomik i përbërë nga Qeveria, punëdhënësit dhe sindikata. Ata thonë se nuk duhet të shpejtohet me numrat por duhet të bëhet analizë e mirë për kapacitetin e ekonomisë dhe të punohet sipas programit të përgatitur paraprakisht.

“Pritshmëritë janë se do të punohet sipas programit i cili është pjesë e platformës për rritje ekonomike dhe kjo gjë nuk mund të jetë vetëm sipas vullnetit të shoqërisë së biznesit, për shkak se shoqëria në Maqedoni është e përbërë edhe nga kategori të tjera të qytetarëve të cilët janë të përfaqësuar nga grupe të ndryshme të interesit. Mendoj se është e patjetërsueshme të gjendet konsensus. Ne kemi qëndrime të qarta se si duhet të lëviz ekonomia e Maqedonisë me reformat urgjente qeveritare”, thotë Mile Boshkoc, nga konfederata e punëdhënësve. 

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë publikoi se shporta minimale konsumuese për një familje katër anëtarëshe është 32 mijë denarë. Duke e marrë parasysh se paga mesatare është 22 600 denarë, nëse vetëm një anëtar i familjes është i punësuar, kjo do të thotë se mungojnë 9 500 denarë në buxhetin familjar, shumë e cila është e njëjtë me shumën të cilën qytetarët që i anketuam thanë se u mungon.

Llogaritja e sindikatës tregon se të paktën nevojiten 13 mijë denarë në muaj që një familje të blejë ushqim dhe pije, pastaj për pagesën e faturave nevojiten 10 mijë denarë, nga 2 mijë denarë për mjete higjienike, transport dhe veshmbathje, rreth 1 000 denarë për manifestime kulturore ndërsa mbi 500 denarë për mirëmbajtjen e shëndetit.

Partia në pushtet, LSDM, në kampanjën e saj parazgjedhore premtoi rritje të pagës mesatare mujore deri 30 mijë denarë gjatë katër viteve të ardhshme. Gjithashtu premtuan edhe rritjen e pagës minimale prej 10 mijë denarë sa është aktualisht,  në 16 mijë denarë. Në periudhën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së ata disa herë kanë cekur se për 10 vite qeverisje pagat janë rritur për 9000 denarë. Në vitin 2006 paga mesatare ishte 13.200 ndërsa, deri sa u ndryshua pushteti ajo arriti në 22 400 denarë.