Shqipëria voton sot për Kuvendin e ri. Qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen sot Qendrave të Votimit nga ora 7:00 e mëngjesit e deri në orën 19:00 të pasdites. Për 12 orë rresht, QV do të jenë hapur për të pritur qytetarët të vijnë të votojnë për atë parti, për të cilën mendojnë se do ta udhëheqë vendin drejt BE, për më shumë punë dhe ekonomi të qëndrueshme. Deri në orët e vona të mesnatës përfundoi shpërndarja e infrastrukturës zgjedhore në të gjitha Qendrat e Votimit të Shqipërisë. Dukagjini ka qenë zona e parë ku nisi puna për shpërndarjen e bazës materiale për 13 qendrat e votimit. Pasi u emëruan komisionerët, procesi u zgjodh të nisej me këtë zonë të thellë malore për shkak të largësisë, me qëllim që të mos rrezikohet procesi i sotëm. Kryetari i QV, Theth Lekë Shkafja, theksoi se gjithçka eci normalisht dhe nuk beson që sot të ketë problematika. Më pas ka vijuar shpërndarja e bazës materiale nga KZAZ e Beratit drejt Qendrave të Votimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit deklaroi hartimin e një plani masash me qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë zgjedhjeve. Në KZAZ-në e Bashkisë së Beratit ishin vendosur gjithë baza materiale e zgjedhjeve dhe vijoi puna për shpërndarjen e tyre në 305 qendra votimi që numëron ky qark. Ky proces përfundoi në mesnatë në të gjitha QV në mbarë vendin. Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë. Kanë të drejtën e votës, 3 milionë e 452 mijë e 260 shqiptarë, të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5.362 qendra votimi. Në listën e zgjedhësve përqindja e femrave është 49,49%, ndërkohë që kandidate femra janë 1.073 ose e thënë ndryshe 40,23%. Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.
Roli i Policisë
Qendrat e Votimit dhe KZAZ po ruhen nga Policia e Shtetit. Punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar, duke marrë në ruajtje 5 362 Qendra Votimi dhe 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit ka angazhuar 5851 punonjës policie. “Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 07:00 të datës 25.06.2017 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor”, sqaron policia. Polica thotë se në të gjithë vendin aktualisht situata për sa i përket rendit dhe sigurisë publike, paraqitet e qetë. Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.