Kryetari aktual i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka hequr dorë nga mandati i tij i deputetit dhe pse ka dalë një ndër më të voturit në rang vendi. Ahmeti u shpreh se objektivi i tij është mandati i dytë si kryetar i komunës së Prishtinës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ndonëse ka dalë ndër kandidatët për deputetë më të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit në Kosovë, ka vendosur që të mos qëndrojë si deputet në legjislaturën e re. Këtë e ka konfirmuar vet Ahmeti, i cili gjatë një deklarate për mediat në vend, shtoi se po përgatitet për mandatin e dytë në Komunën e Prishtinës.

“Falënderoj të gjithë qytetarët që shprehen një besim të madh tek Vetëvendosja dhe te unë si kandidat. Është nder dhe përgjegjësi me shërbyer. Por kur qytetari të vlerëson është pasuria më e madhe shpirtërore. Unë po përgatitem për mandatin e dytë në komunë dhe tashmë, me 32 deputetë Lëvizja do të jetë e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me zemër”, ka deklaruar Ahmeti.
Që në momentin kur nisi garën për deputet Ahmeti kishte deklaruar se po e bënte për të ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke dalë ndër pesë kandidatët më të votuar në Kosovë. Ai në zgjedhjet e 11 qershorit ka marrë afërsisht 70 mijë vota në nivel vendi.