Policia e Vicenza, Itali, ka shkatërruar një organizatë kriminale kokaine, e cila ishte formuar nga sipërmarrës, profesionstë dhe studentë universiteti të pasur. Ajo ishte një bandë italo-shqiptare e formuar nga të rinj me precedentë të mëparshëm dhe me dëshirën për të bërë para shpejt.

Kjo ishte edhe arsyeja pse njesia e ndërhyrjes së shpejtë e quajti operacionin “Eays Money”, operacionin që përfundoi dje me arrestimin e bosit të saj, 35-vjeçarit shqiptar Erjon Xhindole dhe 9 persona që e shoqëronin.

Të dhjetë do të dalin në gjyq për shitje droge, ndërsa për kapobandën, gjykatësi urdhëroi arrest shtëpie me byzylyk elektronik.

Hetimet nisën katër vjet më parë, në 2013-ën, duke çuar pas hekurave anëtarët e tjerë të grupit. Të gjithë ishin të specializuar në shitjen e kokainës, shpërndarjen në bare, diskoteka dhe dyqane bastesh, kryesisht për konsumatorë italianë të nivelit të lartë.

Policia ka dalë në përfundimin se secili prej tyre furnizonte nga pesë deri në dhjetë klientë në ditë në pika të ndryshme të qytetit e qarkullonte një sasi prej të paktën 150 gramësh në javë me një xhiro prej 30 mijë eurosh që ka vazhduar për një kohë të gjatë.