Një sherr banal i lindur për të evituar që dy qenë të përlesheshin mes tyre, ka çuar në plagosjen e një shqiptari në Itali.

Siç raportojnë sot mediat lokale, ngjarja ka ndodhur në një lokal në Bussolengo, Verona, ku shqiptari është goditur me thikë nga një 42-vjeçar italian.

20-vjeçari shqiptar, ishte duke u përpjekur të qetësonte gjakrat mes një 42-vjeçarit, qeni (me përmasa të vogla) i të cilit ishte pa zinxhir në zonë dhe një mikut të tij, i cili kishte me vete një qen (të madh).

Miku i shqiptarit i kërkoi 42-vjeçarit të lidhte qenin e tij, për të shmangur kështu që përleshje të mundshme mes kafshëve. Por, 42-vjeçari “nuk donte t’ia dinte”, raportojnë mediat lokale.

Në lokal, po zhvillohej një festë ditëlindje. I riu shqiptar iu afrua 43-vjeçarit për të diskutuar për kërkesën e mikut të tij. Por, italiani, me precedentë të mëparshëm, nxori një thikë dhe ia vendosi në fyt 20-vjeçarit. Më pas e goditi në bark.

Shqiptari është transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në vendngjarje mbërritën karabinierët të cilët arrestuan 43-vjeçarin italian.