SHBA-ja njoftoi sot një riforcim të sanksioneve kundër Rusisë për mbështetjen e dyshuar për rebelet separatistë në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë, ditën e një vizite të presidentit ukrainas në Uashington.

”Sanksionet e reja parashikojnë 38 individë dhe entitete në Ukrainë si dhe dy zyrtarë qeveritarë rusë dhe dhjetëra individë dhe organizata që operojnë në Krime”, sipas Thesarit amerikan, ministria e ngarkuar me sanksionet financiare.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence do të presë sot në Uashington presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, i cili do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Sanksionet do të mbajnë presionin ndaj Rusisë për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike”, theksoi sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

“Sanksionet amerikane kundër Rusisë lidhur me situatën në lindje të Ukrainës do të mbahen deri në momentin që Rusia do të zbatojë detyrimet e marrëveshjeve të Minskut”, theksoi Thesari amerikan.

“Sanksionet amerikane lidhur me Krimenë nuk do të hiqen deri kur Rusia të përfundojë pushtimin e gadishullit”, shtoi ministria amerikane.