Deputeti demokrat Eduart Selami, i cili do të kandidojë përballë Lulzim Bashës, për kreun e PD-së, ka ulur ndjeshëm tonet, duke theksuar se të gjithë duhet të bashkohen për të çuar PD-në përpara.
Përmes një statusi në Facebook, selami thekson se duhet një analizë e thellë për të evidentuar më parë ato gjëra që i bashkojnë demokratët dhe më pas ato që i ndajnë.
‘Është për të ardhur keq që forcën e parë politike ku unë kam patur kënaqësinë të jem ndër themeluesit e saj, koha e ka lënë pas. Dhe këto zgjedhje treguan pikërisht këtë. Prandaj PD-ja dhe demokratët duhet të ecin me hapin e kohës dhe duhet t’i paraprijnë. Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë, dhe ky do të jetë dhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të PD-së..
Unë mendoj se këto janë periudha sa të vështira po aq të mbarsura me mundësi, për një reformim dhe rinovim të vonuar të PD-së, për ta ngritur atë aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore. Ajo çka është më kryesorja është një analizë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, e hapur, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjërat që në bashkojnë se sa ato që na ndajnë’, shkruan selami në Facebook.