Nuk mund t’i marrë 71 mandate. Me këtë siguri shprehet Ben Blushi për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se do ja dalë të formojë i vetëm qeverinë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

I ftuar në “Komiteti”, kryetari i LIBRA thotë se pakënaqësia e qytetarëve në luftën ndaj krimit dhe drogës, arsimin dhe shëndetësinë e dështuar, nuk do ta bëjë Ramën sërish kryeministër. Po ashtu, sipas Blushit, Rama do të marrë ndëshkim edhe nga mbështetësit e 17 partive të tjera politike që garojnë për vende në Kuvend.

“17 partitë do kenë më shumë vota se Rama. Populli do i shpërndajë votat. Rama s’mund ti marrë 71 mandate. Pse t’ia japin. Për ta mbush Shqipërinë me kanabis? Për të degraduar policinë?”, tha Blushi, i cili thekson se Rama ka bashkëpunëtorë për të bërë votdhe para, vetëm kriminelët.

“Ky është një frikacak i dëmshëm. Bën dëm për shkak të frikës. Përpiqet të kuroje frikën e vet duke i bërë dëm të tjerëve. Nuk mund të lejojmë që për arsye psikike paranoja e Ramës  të shkatërrojë Shqipërinë”, theksoi Blushi përballë gazetarit Berat Buzhala.

Kreu i LIBRA thotë se Ramës nuk ju bë bilanci i duhur as nga mediat. “Flitet për tepsi, por jo për punë”, tha ai. 

Nga ana tjetër, Blushi thotë se LIBRA do arrijë të marrë disa mandate në parlament.

“Do të jemi 1 nga 3-4 partitë e mëdha. Projekti LIBRA fillon më 25 qershor. Nuk do dorëzohemi pas zgjedhjeve. LIBRA është opozitë po shkojmë t’i rrezojmë nga pushteti nuk bëjmë koalicion me askënd. Janë të gjithë kundër nesh”, përfundon ai./Express