Astrit Patozi demokrati i lënë jashtë Kuvendit të Shqipërisë, beson se lideri demokrat Lulzim Basha duhet të ishte dorëhequr nga drejtimi i partisë, pas humbjes së thellë që i dha Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit.

Patozi tha se Basha duhej të ishte larguar përballë rezultat katastrofik dhe premtimit që i bëri qytetarëve për fitore.

I ftuar në “Opinion” Patozi kritikoi listën e kandidatëve për deputetë që hartoi Lulzim Basha.  “Një listë që zgjodhi vetë në një mënyrë private”, shprehet ai.

Ai sqaroi se nuk ka asnjë interes për të garuar për kryetar të Partisë Demokratike pasi Basha mori vendimin për të ngrirë funksionet e tij, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, në garën që do të mbahet më 22 korrik.

“Unë e kam treguar se nuk kam pasur kurrë axhendë personale në kuptimin e tepsisë siç e përdor Edi Rama. Jam për të denoncuar atë që po i ndodh sot PD-së”, tha Patozi.

Sipas anëtarit të PD-së, Basha po e rrëmben partinë. “Po e çon në shtëpi ta ndaj me kunatin e me vjehrrin. Duke bërë tre hapa, e vodhi në 2013, e vodhi pas marrëveshjes mes Ramën, pastaj me listën personale. Nuk ka rast të ngjashëm dhe të thotë mbreti jam unë dhe unë vendos”, theksoi Patozi.

Kritikat më të forta që Patozi i ka për marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës më 18 maj, që i dha fund protestës tre mujore të opozitës. Sipas tij, kjo marrëveshje e fshehtë bëri që opozita të bëjë një fushatë të dobët kundër Ramës. Me gjasë diçka e tillë – lë të kuptohet Patozi – është rënë dakord në marrëveshjen jo transparente.

“Në orën 19.00 Rama ishte djalli dhe në 12.00 të 18 majit, ky u shndërrua në engjëll. Unë këtë nuk e pranoj. Fushatën që patëm përballë zotit Rama dhe e kupton që ky njeri kishte ndryshuar brenda natës”, tha ai.

Për Patozin, Basha ka hyrë në histori si njeriu që shkel statutin nuk respekton asnjë normë statutore.

Në humbjen e zgjedhjeve të PD-së, sipas deputetit demokrat ndikoi mungesa e votës së rreth 200 mijë mbështetësve të PD-së që zgjodhën të bojkotojnë votimet.

Por sipas tij, ndërhyrje në cenim të procesit ka pasur edhe nga qeveria e majtë.

Global