Partia Socialiste ka reaguar me një deklaratë të fortë për, sipas saj “sjelljen antiligjore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta”. Sipas saj zoti Meta “po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor qysh prej ditës së djeshme dhe sot në vazhdim”. Për PS “Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën, me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së me akuza vulgare ndaj socialistëve dhe vetë Policise se Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht”.
“Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjithë ekipeve elektorale, votuesve, mbështetesve si edhe simpatizantëve të saj, të ruajnë qetësinë” vlerësohet në deklaratë.
“Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, sidomos të “vëzhguesve” të LSI që në disa zona janë elemente me preçendentë penalë” bën thirrje PS. “Ruani qetësinë. Bëni detyren patriotike ndaj Shqipërisë sot me votën tuaj dhe përballoni me shumë vetëpërmbajtje, ofensivën mizerabel të Presidentit të zgjedhur mbi proçesin zgjedhor” shton deklarata.
PS shpreh bindjen se “Këto zgjedhje, janë nisur për të qenë në çdo aspekt më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë”. Ndërsa u bën thirrje zgjedhësve të marrin pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për kë voton, pasi kështu japin një kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar, PS thekson në deklaratë se “Partia e Presidentit të zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ua prishë dot këtë festë demokratike Shqipërise e shqiptarëve. “Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më e sigurtë, më e fortë, me e mirë, Shqipëria nesër” përfundon deklarata e PS.