Në 26 komuna në Maqedoni në 12 muajt e ardhshëm do të zbatohet projekti “Qendra mobile për karrierë one stop”. Qëllimi është të rriten kapacitetet e të rinjve dhe grave për zhvillimin e aftësive për punësim dhe vetëpunësim, si dhe të kontribuohet drejt rritjes së zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të biznesit në tetë rajonet planore në vend.

Projekti do të zbatohet me mjetet e Fondacionit Goldiloks dhe Ambasadës së SHBA-së në Maqedoni, në bashkëpunim me NjuMens, Akceleratorit të Biznesit.

“Duhet t’u ndihmojë pjesëmarrësve të fitojnë njohuri më të thella për trendet dhe dinamikat tregtare në industri të ndryshme, ekzistuese apo me potencial për zhvillimin e mjediseve të tyre, si dhe cilat aftësitë të cilat janë të nevojshme për sukses dhe prej aspektit të të punësuarit potencial, por edhe nga aspekti i pronarit potencial të biznesit në sferë përkatëse. Ata do të mësojnë se si t’i përdorin aftësitë e tyre virtuale dhe si t’i zhvillojnë dhe do të motivohen të ndërmarrin hapa konkretë për fillimin ose zhvillimin e karrierave të tyre”, kumtoi fondacioni Goldiloks.

Realizimi i projektit, siç informojnë, do të zhvillohet përmes ngjarjeve lokale në të cilat nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë informacione të dorës së parë për industri konkrete, aftësi të nevojshme, si dhe mundësinë për zhvillim në këto industri. Krahas kësaj, do të kenë mundësi për sesione individuale me këshilltarë për karrierë, si dhe me një ekspert me qëllim të krijimit të planeve për karrierë dhe thellimin e njohurive në industri.

Karvani i Qendrës mobile për karrierë OneStop fillon sot në Shkup, më pas vazhdon në Ohër më 21 korrik, në Strugë më 24 korrik, në Veles më 28 gusht, në Kavadar më 30 gusht, ndërsa do të vazhdojë edhe në Prilep, Strumicë, Manastir, Gjevgjeli, Kërçovë, Kumanovë, Shtip, Tetovë, Gostivar, Mavrovë, Kriva Pallankë dhe Koçan.