Komuna e Prishtinës në një konferencë për mediat prezantoi një pjesë të vogël të dokumenteve historike të qytetit të Prishtinës të ruajtura në arkivin e Perandorisë Osmane në Stamboll të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se me ndihmën e Konsullatës së Kosovës në Stamboll si dhe të Agjencisë së Arkivit të Republikës së Kosovës është arritur marrëveshja me Drejtorinë e Arkivit Shtetëror Turk të Perandorisë Osmane në Stamboll. Nushi bëri të ditur se sipas kësaj marrëveshjeje është bërë pasurimi i arkivit të komunës së Prishtinës me 36 dosje arkivore dhe kopje të gjithsej 169 faqeve elektronike të cilat do të barten në ueb faqen e komunës.

“Kemi arritur marrëveshje që të gjitha dokumentet nga arkivi shtetëror i Perandorisë Osmane në Stamboll, por që i përkasin Komunës së Prishtinës të jenë pronë e arkivit komunal në Prishtinë. Do të thotë të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me emërtim të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës. Kopja e tyre elektronike apo dixhitale do të transferohet në arkivin komunal, duke e pasuruar më tepër arkivin tonë edhe hapim një kapitull të ri në zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor në komunën tonë.”, tha Nushi.

Ai u shpreh se deri më tani janë dixhutalizuar 9817 dokumente të cilat tregojnë aktivitetet administrative të komunës përmes viteve 1322-1912. Nushi u shpreh se këto dokumente nuk do të jenë finale sepse kanë marrë edhe një ftesë nga Turqia për një vizitë të re ku presin që do të kompletohet dosja dixhitale e arkivit për Prishtinën.

Nushi tha se vlera arkivistike, shkencore e historike është e madhe dhe në mesin e dokumenteve arkivore në Stamboll është edhe harta e Prishtinës dhe një dokument për regjistrimin e popullsisë së asaj kohe, por që nuk i kanë sjellë ende.

Ndërsa, drejtori i drejtorisë së kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, u shpreh se kanë ndërmarrë një iniciativë ku do të bëhet subvencionimi për studentët që studiojnë osmanishten, duke theksuar se këto materiale janë administrative, por do të ndihmojnë shumë studiuesit e historisë dhe gjuhës osmanishte, pra do të jenë të dobishme për hulumtime akademike.