Ish-presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye ka planifikuar të vriste udhëheqësin e Koresë së Veriut,  Kim Jong-un, sipas gazetës kombëtare japoneze.

Raporti vëren se planet për eliminimin e tij fillonin nga një aksident me makinë deri tek përplasja e trenit me të cilin udhëton Kim.

Ish-presidentja Park, e cila u rrëzua për shkak të një skandali korrupsioni, nënshkroi në 2015-ën, një dokument që miratonte një “ndryshim lidershipi” në Korenë e Veriut.

Agjencitë e inteligjencës së Koresë së Jugut përgatitën operacione për të kryer planin e vrasjes se diktatorit famëkeq, shkruan syri.net. Administrata e Park po konsideronte gjithashtu të organizonte një grusht shteti në Korenë e Veriut.

Aktivitetet ushtarake të fqinjit komunist të Koresë së Jugut, duke përfshirë programet e tij të zhvillimit të armëve bërthamore, me sa duket ishin motivet e komplotit të dyshuar, vë në dukje gazeta.

Tensioni midis dy Koreve arriti kulmim në gusht të vitit 2015, pasi Veriu goditi me një predhë qytetin kufitar të Yeoncheonit.