Policia e Shtetit thotë se ka zbuluar një mënyrë të kundraligjshme që po përdoret nga subjektet zgjedhore si garanci se qytetarët do të votojnë për partitë përkatëse pasi kanë dhënë lekë.

Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar, se disponon informacione të mjaftueshme se persona të caktuar kanë nisur të shpërndajnë aparate që bëjnë fotografim, me të cilat do të tentojnë të fotografojnë votën si dëshmi se qytetarët kanë votuar për partinë i ka blerë.

“Policia e Shtetit thekson se do të jetë shumë e ashpër për ndëshkimin e çdo krimi elektoral dhe ka marrë të gjitha masat për t’ju përgjigjur në kohë çdo eventualiteti. Nën mbikëqyrje po mbahen elementë me tendencë blerjen e votës, në procesin e 25 Qershorit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit paralajmëron çdo qytetar që ka rënë pre e tentativës për shit-blerjen e votës të heqë dorë në kohë nga ky aktivitet kriminal, pasi do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të garantuar, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese, një proces zgjedhor të qetë dhe të drejtë.

Siç ka dëshmuar edhe ditët e fundit në goditjen e tentativave për shit-blerjen e votës, Policia do të intensifikojë luftën kundër këtij fenomeni për të mos deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve”, –  thotë Policia.

Policia ka bërë publike edhe foto të këtyre aparateve, çka do të thotë se disa tentativa për ta fotografuar votën janë zbuluar nga policia, por në njoftim nuk flitet për persona të arrestuar.

Global

Comments are closed.