Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, shpreson ta shohë duetin e yjeve Alexis Sanchez dhe Mesut Ozil të angazhohen në kushte të freskëta me gjigandët e Premier League. Sanchez dhe Ozil janë jashtë kontrate në qershor 2018, duke çuar në spekulime për të ardhmen e tyre. Arsenali e përfundoi në vendin e pestë në Premier League, në sezonin 2016-2017, me Sanchez (24 gola dhe 10 asiste) dhe në një masë më të vogël Ozil (8 gola dhe 9 asiste).

Pires, i cili fitoi dy tituj të ligës me klubin, kërkon që Arsene Wenger të shpenzojë shumë në këtë sezon, por pranon se mbajtja e Sanchez dhe Ozil është gjithashtu e rëndësishme. “Unë shpresoj dhe uroj që ata të zgjasin kontratat e tyre, sepse janë të dy lojtarë shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe cilësinë e ekipit, – tha Pires për “Sky Sports”. – Ne kemi nevojë për luftëtarë, si Sanchez, dhe na duhet Ozil. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë deri në fund të merkatos, por e di se Arsene Wenger ka shumë punë për të bërë këtë verë”.