Pushuesit në plazhin “Can Pastilla” të Spanjës u tmerruan, kur ndërsa laheshin të qetë në det fare pranë bregut, përpara u doli një peshkaqen.

Grabitqari nuk ishte agresiv për shkak të një plage të rëndë në trup, por vetëm pamja e tij mjaftoi për t’i larguar njerëzit nga uji përgjatë ditës, e për të detyruar autoritetet të diskutojnë mbylljen e plazhit.

Dëmtimi i pësuar ishte i pashërueshëm, sipas specialistëve, ndaj peshkaqenit i është administruar një injeksion vdekjeprurës.

Kjo ishte hera e tretë brenda pak ditësh, që në të njëjtin plazh shihen pendët e frikshme të peshqve më të mëdhenj mishngrënës të botës. Të shtunën, një peshkaqen blu u pa të vinte rrotull në “Cala Major”, duke shkaktuar panik mes pushuesve.

Rojet Bregdetare u njoftuan menjëherë për praninë e tij dhe punonjësit e Mbrojtjes Civile e mbikëqyrën të gjithë plazhin për disa orë rresht, megjithatë peshkaqeni nuk u shfaq më. Njerëzit janë lejuar pas kësaj të kthehen në ujë, por vetëm në praninë e Rojeve Bregdetare, që vazhdojnë të monitorojnë zonën.