Para pak çastesh përfundoi protesta e dhjetëra mbështetësve të VMRO-DPMNE-së të cilët kishin dalë në mbrojtje të funksionarëve të kësaj partie, pasi sot Prokuroria Speciale ngriti 17 aktakuza për 18 persona, shumica e të cilëve anëtarë të lartë të kësaj partie.

Mbështetësit e kësaj partie u mblodhën para Gjykatës penale dhe protesta u zhvillua e qetë pa incidente, ndërsa në vendngjarje ishin prezent edhe forca të njësisë speciale të policisë.

Në mesin e personave për të cilët Prokuroria Speciale Publike kërkoi paraburgim janë: Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska, Mile Janakievski, Llatasi, Ejup Alimi, Ismet Gurri e të tjerë.