Në vitet 2015 dhe 2016 në aksidente në Kosovë vdiqën 239 persona, ndërsa në pesë muajt e parë të 2017-ës edhe 38 njerëz tjerë humbën jetën.

Sipas shënimeve të policisë për dy vjet e pesë muaj nëpër rrugët e Kosovës kanë vdekur 277 persona nëpër aksidente.

Në vitet 2015 dhe 2016 sipas raporeteve përfundimtare të Policisë së Kosovës ndodhën gjithsej 36,313 aksidente.

Nga këto aksidente në këta dy vjet, sipas informacioneve të dhëna për KALLXO.com nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës Bajram Krasniqi vdiqën 239 persona.

Në vitin 2015 17,722 aksidente u morën jetën 129 njerëzve. Vitin e kaluar numri i aksidenteve ishte më i madh- 18, 541, por në to vdiqën më pak persona- gjithsej 110.

Në pesë muajt e parë të 2017-ës në ndeshje komunikacioni vdiqën 38 qytetarë të Kosovës.

Edhe në Prishtinë në dy vjetët e kaluar, por edhe sivjet ka shumë aksidente dhe shumë vdekje në to.

Vdekjet në aksidente i konsideron shumë shqetësuese kur flet për KALLXO.com udhëheqësi i Njësisë së Hetimeve të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Prishtinë Nazim Zogaj.

Sipas të dhënave nga ky njësit në rajonin e Prishtinës në dy vjetët e fundit vdiqën në aksidente komunikacioni 73 persona, ndërsa sivjet të vdekur në aksidente të tilla janë 10 persona.

Në vitin 2015 në regjionin e Prishtinës vdiqën 35 persona, ndërsa në 2016-ën 38.

Në vitin 2015 në rajonin e Prishtinës më së shumti të vdekur pati nga radhët e këmbësorëve- gjithsej 14. Dy vjet më parë vdiqën edhe 13 drejtues automjetesh dhe 8 bashkudhëtarë të atyre që bënë ndeshje.

Vitin e kaluar në Prishtinë dhe komunat e regjionit të saj, vdiqën më së shumti shoferë makinash- gjithsej 19. Vjet numri i këmbësorëve të vdekur ishte më i vogël- vetëm 6, ndërsa bashkudhëtarë në makinat që u përfshinë në ndeshje dhe humbën jetën ishin 13.

Në shtator të vitit të kaluar hyri në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me të cilin për shkelje të ndryshme në trafik dënimet janë shumë më të larta, me qëllimin që të pakësohen aksidentet e komunikacionit.

Në shkurt të këtij viti KALLXO.com shkroi se që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të komunikacionit në regjionin e Prishtinës numri i aksidenteve është zvogëluar 11 për qind.

Eksperti i komunikacionit rrugor dr, sc. Nol Dedaj tregon për KALLXO.om se janë pesë faktorë nga të cilët shkaktohen aksidente.

“Aksidentet e komunikacionit shkaktohen nga 5 faktorë: Faktori njeri (85%), faktori rrugë me 8-10 %, faktori automjet 3-5%, faktori komunikacion në rruge rreth 1% dhe faktori incident rreth 1%”, shpjegon eksperti Dedaj.

Përqindja e shkaktimit të aksidenteve nga këta pesë faktorë, Dedaj thotë se është sipas standardeve europiane, por bën më dije se në Kosovë gjendja mund të ndryshojë.

“Te ne duke pasur parasysh nivelin e rrugëve dhe vjetërsinë e automjeteve dhe mbikëqyrjen e tyre (kontrollimin teknik – formal) atëherë thjesht vijmë në përfundim se faktori rrugë dhe faktori automjete përmes elementeve të tyre te ne paraqiten si shkaktarë me një përqindje me te madhe”, thotë Nol Dedaj.

Sipas Dedajt aksidentet nga faktori komunikacion lidhen me mosrespektimin e sinjaleve të ndalimit, përparësisë dhe sinjaleve të semaforëve.

KALLXO.com në prill të këtij viti shkroi për një aksion të policisë kundër pjesëmarrësve në komunikacion që hyjnë në të kuqen- kur e kanë të ndaluar të lëvizin.

Eksperti Nol Dedaj tregoi edhe pse automjetet e vjetra janë të rrezikshme kur dalin në trafik.

“Nëse këto automjete dalin në qarkullim teknikisht jo në rregull atëherë paraqesin rrezik potencial për të shkaktuar aksident, por këtu vlen të ceken dy elementet e faktorit automjete të cilët në 80% të rasteve shkaktojnë aksidente në komunikacion, e këto janë: sistemi i frenimit dhe sistemi i ndriçimit”, tregoi Dedaj.

Nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të ndalohet importimi i makinave më të vjetra se 10 vjet, për ta shtuar sigurinë në trafik.