Sot në Sekretariatin për Çështje Evropiane u realizua takim në mes Zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani dhe kreut të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Kajetana De Zulueta.

Zëvendëskryeministri Osmani, tha se kjo vizitë vjen në kohën e duhur për vendin duke pasur parasysh se priten zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahet në tetor të vitit 2017 dhe paraqet një mundësi të shkëlqyer për t’i përputhur prioritetet kyçe nga rekomandimet е raporteve të OSBE/ODIHR të cilat duhet të të adresohen në të ardhmen.

“Qeveria me shumë seriozitet i qaset komenteve dhe rekomandimeve të cekura në raportin e fundit të OSBE/ODIHR të përgatitur pas zgjedhjeve të fundit”, tha Osmani. Ai shtoi se qeveria ka hartuar tashmë një plan në të cilin vend të posaçëm kanë të ashtuquajturat Prioritetet urgjente të cilave Qeveria do t’i përkushtohet 3 muajt e ardhshëm, domethënë pak para zgjedhjeve lokale.

“Ne duhet të tregojmë se kemi kapacitet për të zbatuar zgjedhje demokratike dhe kredibile sipas standardeve ndërkombëtare që do të jetë një tjetër element pozitiv për të lëvizur vendin në procesin e integrimit evropian”, shtoi Osmani.

Përveç bisedimeve mbi prioritetet e reformës zgjedhore, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga klima e re pozitive që mbretëron në vend dhe optimizmin e kthimit të anëtarësimit të vendit në BE. Ata konkluduan se impulsi i ri pozitiv, si në Maqedoni dhe në Shtetet Anëtare të Bashkimit, duhet përdorur për qasje edhe më të guximshme drejt përmbushjes se reformave të parashikuara dhe kështu të përshpejtohen proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë.

T mobile In article [4]