Osmani- Plomp: Holanda ka qenë gjithmonë një nga mbështetësit më të sinqertë të Republikës së Maqedonisë

Në Sekretariatin për Çështje Evropiane sot është mbajtur takim mes zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ambasadorit të Holandës, Valter Plomp.
Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se Holanda ka qenë gjithmonë një nga mbështetësit tanë më të sinqertë në procesin e integrimit në BE, duke ofruar ndihmë në nivel bilateral për forcimin e kapaciteteve institucionale, financime të studimeve pasuniversitare, mbështetje të proekteve infrastrukturore, si dhe transferimin e përvojave të ekspertëve holandez për të cilën ne jemi shumë mirënjohës.
Osmani e informoi ambasadorin për planet e ardhshme, të cilat qeveria synon të marrë në drejtim të adresimit të prioriteteve kyçe dhe trajtimin e sfidave të dala nga agjenda e reformave të qeverisë. Bashkarisht ështe konstatuar që me rëndësi të veçantë është arritja e rezultateve konkrete, si konfirmim i angazhimit të procesit të integrimit në BE dhe kthimin e situatës në normalitet.
“Është e rëndësishme që të përqëndrohemi në atë që është e realizueshme dhe të bëjë procesin sa më gjithëpërfshirës që është e mundur që të gjithë të mund të kontribuojnë në arritjen e qëllimit përfundimtar, për t’u bërë anëtar të familjes evropiane”, deklaroi Osmani.
Të dyja palët u pajtuan se kjo është një mundësi e papërsëritshme që Maqedonia nuk duhet ta humbasë, dhe shprehën kënaqësi nga përkushtimi i reformës së qeverisë së re në përmbushjen e angazhimeve të marra para partnerëve ndërkombëtarë.