Edhe skamnorët dhe kategoritë e ndryshme sociale në terrenin e Myftinisë së Ohrit patën rastin që të ndihmohen nga OH HILAL e BFI-së, e cila u shpërndau pako me artikuj ushqimor e higjienik. Paraprakisht, këshillat e xhamive kishin detektuar familjet dhe shtresat më në nevojë të myslimanëve të Ohrit, të cilëve, në mënyrë shumë transparente, kryetari i OH HILAL, Mustafa ef. Dauti si dhe Myftiu i Ohrit, Samet ef. Ajdar, u shpërndanë mbi pesë ton ndihmë humanitare.

“Falë angazhimit dhe autoritetit të Reisul Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit, kemi arritur që të sigurojmë donacione të konsiderueshme nga myslimanët tanë, të cilën po e shpërndajmë anembanë vendit, ndër personat dhe familjet më në nevojë me qëllim që këto ditë të agjërimit t’i kalojnë sa më lehtë dhe pa brenga. Pa dyshim, numri i familjeve të varfëra është shumë i madh, kurse ne maksimalisht po angazhohemi dhe po kërkojmë që të gjenden familjet më në nevojë dhe këtë aksion po e kryejmë në mënyrë shumë transparente”, ka thënë me këtë rast, Mustafë ef. Dauti, kryetar i OH HILAL.