Mbrëmë në Saraj të Shkupit, OH “El Hilal” shtroi iftarin e fundit, me të cilin u përmbyll cikli i “Sofrave të Ramazanit“.
Siç dihet, sivjet të gjitha iftaret e kësaj organizate që u shtruan në disa qytete të Maqedonisë, ishin të organizuara me mbështetjen e qytetit Kahramanmarash të Turqisë.
“Me dëshirën dhe lutjet drejtuar Zotit që nga ky Ramazan të dalim më të begatë, më të dinjitetshëm si dhe solidariteti e bamirësia të vazhdojnë edhe pas këtij muaji të bekuar”, theksoi kryetari i kësaj organizate, Behixhudin Shehapi.
Iftari i mbrëmshëm ishte në organizim të degës së kësaj organizate për Sarajin dhe në të ishin prezent punëtorë të arsimit, përfaqësues të komunës Saraj, veprimtarë humanitarë në krye me prof. Abdurauf Pruthi, kryetar nderi dhe shfrytëzues të ndihmave humanitare.
Darka e fundit për këtë muaj të Ramazanit u organizua në Restorantin “Fontana” në Saraj, ku pjesëmarrësit kaluan një prej çasteve të mrekullueshme të Ramazanit.