Përfundoi pa një marrëveshje konkrete takimi i sotëm mes iniciativës qytetare “5 në 12” dhe ministrave, atij të shëndetësisë dhe ministres së arsimit, në të cilin u bisedua lidhur me kërkesat e kësaj iniciative për ndryshime ligjore, për sigurimin e kushteve më të mira për personat me nevoja të veçanta.

 Si ministri jemi të hapur, na sugjeruan se si disa çështje mund t’i zgjidhim së bashku. Do të shohim mundësitë ligjore dhe financiare se çfarë mund të bëhet. U dhanë disa propozime nga ana e tyre, çfarë do të mundemi, do të bëjmë. Nuk kemi diçka konkrete për të treguar se do të bëhet gjatë ditëve në vijim, sepse ato kërkojnë ndryshime ligjore dhe për ato ndryshime duhet kohë– deklaroi ministër i Shëndetësisë Arben Taravari.

Përfaqësuesit e iniciativës “5 në 12” thanë se janë të kënaqur me takimin dhe se shpresojnë se problemet e tyre do të gjejnë zgjidhje së shpejti.

Jemi të kënaqur nga takimi dhe mirëkuptimi dhe nga bashkëpunimi që do e kemi. Folëm mbi përfshirjen e këtyre personave nëpër shkolla, meqë këtë e kemi pikë të dobët, po ashtu rreth programit të fëmijëve, folëm për defektologët, kontroll më të madhe nëpër shkolla, etj. Nuk presim hapa konkret nga takimi i parë sepse do bëhen grupe pune, që nga nesër do fillojë me punë dhe shqyrtohen çështjet- tha Suzana Stojanovska, Iniciativa “5 në 12

Aktivistët e kësaj iniciative qytetare, për të tretën herë me radhë qëndrojnë në tenda përballë Kuvendit për të treguar se nevojat e tyre ndryshime të sistemit Shëndetësor dhe atij Arsimor janë shumë të mëdha. Ndër kërkesat e shumta të tyre janë edhe hapja e qendrave ditore për këta persona dhe kushte më të mira nëpër shkolla dhe spitale për këtë kategori të njerëzve.