Presidenti që njëherë ka marrë vendim për falje dhe pastaj e ka tërhequr, do të ishte absurde ta përsërisë të njëjtin hap, thotë ish-gjyqtarja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikolovska. Ajo e këshillon Presidentin ti largojë duart nga procesi, sepse thotë, nëse Ivanov angazhohet për aderim në NATO dhe BE, duhet të lejojë sundimin e ligjit pa asnjë ndërhyrje.
“Unë mund të them se sjellja e tij e mëparshme jo gjithmonë ka qenë e ligjshme, kështu që parimi sundimi i drejtësisë dhe ligjshmërisë nuk është aq i pranishëm te ai, dhe mund të pritet gjithçka. Por përsëri, duke pasur parasysh çdo gjë që ndodhi pas tërheqjes së faljes së parë, mendoj se tani edhe ai është pak i arsyeshëm, nuk do të bëjë hap drejt rihapjes së çështjes së faljes”, deklaroi Margarita Caca Nikolovska, ish-gjyqtare në Strasburg.
Çfarë mund të pritet nga Ivanovi si reagim është çështja që u ngrit në publik pas 17 akuzave të djeshme që prokuroria publike speciale i dorëzoi, ku të akuzuar janë shumica e lidershipit të VMRO – DPMNE-së duke përfshirë edhe Nikolla Gruevskin. Të njëjtit ish-zyrtarë, dhe tani deputetë, ishin pjesë e faljes kolektive të cilën Ivanov e miratoi në prill të vitit të kaluar. Akti i tij i faljes që përfshinte 56 persona shkaktoi protesta plotë tension në Shkup, dhe për një pjesë të demonstruesve që atëherë e kundërshtuan faljen ende vijon procesi gjyqësor. Nëse Ivanov vendos përsëri të ndërhyjë në proces, jo vetëm që do rrezikonte mocion/impiçment, por edhe përgjegjësi penale, thotë Nikolovska.
“Ka një tjetër përgjegjësi, abuzimi i pozitës së tij, e cila mund të shndërrohet në disa kallëzime penale, sipas ligjit në lidhje me këtë edhe ai duhet të mendojë që merr hap të tillë, ose që nuk duhet të ndërmarrë hap të tillë, që mos të vijë deri te përgjegjësia e tij penale eventuale”, shtoi ajo.
Nga Kabineti i presidentit nuk u përgjigjen pyetjeve tona, nëse Ivanovi mendon sërish për falje. Ai sot dhe nesër është në vizitë pune në Kroaci./ Alsat-M