Lidhur me reagimet publike për emërimin e tij ambasador dhe shef i misionit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ish-deputeti Aleksandar Nikolloski sot u paraqit me reagim.
I njëjti, sipas tij, është me qëllim që të tregojë se “përgjigjet e të gjitha çështjeve qëndrojnë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe në Ligjin për punë të jashtme”.
“Respektimi i së njëjtave nuk ka alternativë. Gjithashtu, prioritet i lartë për Maqedoninë është të përmirësohet prestigji i saj në BE që do ta lehtësonte procesin integrues, ndërsa këtë prestigj në Bruksel mund ta përmirësojmë vetëm me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror dhe jo me akuza politike. Si ambasador i Republikës së Maqedonisë në BE, do t’i prezentoj të gjithë qytetarët tanë, të gjitha institucionet shtetërore dhe faktorët dhe për këtë nuk kam kandiduar si deputet në zgjedhjet e fundit dhe u tërhoqa prej të gjitha funksioneve në AP të Këshillit të Evropës si dhe prej të gjitha funksioneve partiake. Vlerësoj se për këtë temë të rëndësishme diplomatike nevojitet koordinim dhe harmonizim midis presidentit të Republikës së Maqedonisë, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe mua si ambasador. Kështu do ta kursejmë opinionin prej akuzave publike, ndërsa në mënyrë dinjitoze do të harmonizohemi për interesat dhe prestigjin e Maqedonisë në Bruksel. Unë jam i gatshëm për këtë dhe në këtë drejtim do të përmbahem prej çfarëdo deklaratash të tjera në periudhën e ardhshme. Maqedonia në BE le të jetë qëllimi ynë i përbashkët”, porositi Nikolloski.