Me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, 29 Qershorit, Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta priti në takim një delegacion të Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, ku të pranishëm ishin edhe pjesëmarrësit e Kolonisë Artistike
“Gostivari – 2017”.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta ndahu mirënjohje për drejtuesit e kësaj shoqate, me motivacionin për kontribut dhe avancim të jetës Kulturore dhe Artistike në qytetin e Gostivarit.

Komuna e Gostivarit, tha Kryetari Bejta, tradicionalisht ka ndihmuar kulturën në përgjithësi, e sidomos artin figurativ, sepse Gostivari njihet si qytet i artit figurativ shkaku numrit të madh të artistëve figurativ nga rrethi ynë.

“E kemi mbështetur financiarisht dhe moralisht çdo aktivitet të Shoqatës “Draudacum”, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen. Meritë të veçantë që sot jemi bashkë këtu ka kryetari i Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, Reshat Ameti si dhe bashkëpunëtorët e tij. Arti është një prej shtyllave kryesore të kulturës, dhe ajo që më gëzon mua, është krijimi i traditës për të vlerësuar punën e artistëve. Uroj që në ditët në vazhdim, të kaloni bukur në qytetin e Gostivarit dhe të gjeni motivin e mjaftueshëm për të krijuar veprat e juaja”, tha mes tjerash Kryetari Bejta, i cili uroi pjesëmarrësit e Kolonisë që të kalojnë sa më mirë në qytetin e miqve, qytetin e Gostivarit.

Kryetari i Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, Reshat Ameti nuk kursehu fjalë miradije për Kryetarin dhe Komunën e Gostivarit, për mbështetjen e jashtëzakonshme në realizimin e aktiviteteve të kësaj shoqate.

Dëshiroj të jem i sinqertë dhe ta them të vërtetët, tha Ameti, duke vijuar që: Në katër vitet e kaluara, mbështetja për Shoqatën nga ana e Kryetarit dhe Komunës së Gostivarit ka qenë si asnjëherë më parë.

Fjalë rasti mori edhe artisti me famë ndërkombëtare, Saimir Strati i cili mes tjerash theksoi që si vizitor i rregullt i Gostivarit, çdo ditë po shikon ndryshime pozitive.

E shikova se keni ndërtuar një Urë të re me katër korsi në qytetin e Gostivarit, tha Strati, duke shtuar që Ura ka pesë korsi dhe e pesta është Kolonia dhe Shoqata e  Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, e cila grumbullon në një vend artistë nga shtetet e ndryshme të Botës.