Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska prej sot po qëndron për vizitë  dyditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takimin e Këshillit Veriatlantik të NATO-s.

Ministria e Mbrojtjes kumtoi se në takimin e Këshillit Veriatlantik, i cili do të mbahet nesër, marrin pjesë 39 ministra të mbrojtjes të vendeve-anëtare të NATO-s dhe vende të cilat marrin pjesë në misionin “Mbështetje vendimtare”.

Në fokus të diskutimit do të jetë gjendja e sigurisë në Afganistan dhe ardhmëria e misionit “Mbështetje vendimtare”, në pajtim me vendimin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të NATO-s nga 25 maji, misioni “Mbështetje vendimtare” do të vazhdojë edhe pas vitit 2018.

Maqedonia merr pjesë në misionin “Mbështetje vendimtare nga viti 2015. Për momentin Maqedonia në këtë mision ka sistemuar 39 persona personel ushtarak.

Menjëherë pas arritjes në Bruksel sot ministrja Shekerinska do të marrë pjesë në takim me ministrat e mbrojtjes së Malit të Zi, Shqipërisë, Sllovenisë dhe të Kroacisë.