Shëndetësia në 7 vitet e fundit është e partizuar skajshmërisht, duke filluar nga pastruesi deri te mjekët, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Ai në një intervistë për “Fokus”, thotë se kjo ka demotivuar mjekët të cilët duke mos mundur që ta durojnë një situatë të këtillë kanë zgjedhur të ikin jashtë vendit.

“Duke filluar nga pastruesit, infermierët, ndihmës-teknikët, mjekët, gjegjësisht në 7 vitet e fundit gjithçka është pranuar me çelës partiak, me përjashtime të rralla. Është fakt se është e partizuar, nuk janë zgjedhur profesionistët që e kanë ditur punën, por ushtarë partiakë. Nuk dua të gjeneralizoj dhe të them se në një parti ka vetëm mjekë të këqij. Ka edhe të mirë edhe të këqij. Mendoj se mjekët, mësuesit dhe gjykatësit më së paku duhet që të jenë të politizuar, gjegjësisht të zgjidhen më të mirët”, theksoi Taravari, i cili pranon se do të jetë i vështirë departizimi, por premton se do ta japë maksimumin që mjekët që do të fillojnë me punë të jenë ekspertë të fushës së tyre, transmeton TVM2.